
Gjykata e Lezhës pritet të japë sot vendimin për shtetasin portugez, Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në vitin 2023, në Shëngjin.
Prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm, duke e konsideruar përgjegjës për krimin e rëndë që tronditi opinionin publik.
Seanca gjyqësore është planifikuar të mbahet në orën 14:00, ndërsa vetë Saraiva ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në këtë ngjarje.
Sipas dosjes hetimore, Saraiva akuzohet për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas Prokurorisë, vrasja e Nikulajt dyshohet se është porositur nga Edmond Haxhia, i cili jeton në Britaninë e Madhe, për motive gjakmarrjeje. Të përfshirë si ndihmës dyshohet të jenë edhe katër shtetas britanikë.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj konsiderohet si vijim i një zinxhiri hakmarrjeje mes familjes së viktimës dhe fisit Lekstakaj, një konflikt i nisur që në vitin 1997, i cili ka shkaktuar shumë viktima ndër vite.



