Policia Rrugore e Tiranës kujton se një ndër objektivat e “Dronit edukues” është rritja e sigurisë rrugore nëpërmjet kontrollit të sjelljes së përdoruesve të rrugës, në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Në një njoftim të ndarë për publikun thuhet se drejtuesit e mjeteve që shfaqen në këtë video nuk respektojnë përparësinë e këmbësorëve në vizat e bardha, shkelje e cila ndëshkohet me masë administrative, sipas nenit 189 të Kodit Rrugor.
Ec i sigurtë, respekto rregullat e qarkullimit rrugor!
NENI 189
SJELLJA E DREJTUESVE TE MJETEVE NDAJ KEMBESOREVE
1. Kur trafiku nuk është i rregulluar nga polici ose nga semafori, drejtuesit e mjeteve duhet t'i japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkalimet këmbësore. Drejtuesit e mjeteve që kthehen për t'u futur në një rrugë tjetër, në hyrjen e së cilës gjendet një vendkalim këmbësorësh, duhet t'u japin përparësi, duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar, këmbësorëve që kalojnë në vendkapercimet këmbësore, kur atyre nuk u është ndaluar kalimi.
2. Në rrugë të papajisura me vendkalime këmbësorësh drejtuesit e mjeteve duhet t'i lejojnë këmbësorit, që ka filluar kapërcimin e karrexhatës, të arrijë i sigurt në anën tjetër.
3. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndalojnë, kur një person invalid me aftësi lëvizjeje të kufizuara ose që lëviz me karrocë invalidësh, ose i pajisur me shkop të bardhë, ose i shoqëruar me një qen drejtues, ose sidoqoftë i dallueshëm në njëfarë mënyre, kapërcen karrexhatën, ose ka ndërmend ta kapërcejë, dhe duhet të shmangin situata të rrezikshme që mund të shkaktohen nga veprime të gabuara a të ngathëta të fëmijëve dhe të të moshuarve.
4. Cilido që shkel dispozitat e neneve 188 dhe 189, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëqind deri në dy mijë lekë.



