Ministria e Mbrojtjes raportoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 24 vatra zjarri, të cilat janë lokalizuar dhe eliminuar nga ekipet në terren.
Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, zjarret janë evidentuar në disa bashki të vendit, përfshirë Vlorën, Vaut të Dejës, Malësinë e Madhe, Rrogozhinën, Durrësin, Fierin, Kuçovën, Lezhën, Kurbinin dhe Hasin.
Kryesisht, zjarret janë përhapur në sipërfaqe me bimësi, duke shkatërruar rreth 9 hektarë me shkurre e barishte. Një dëmtim i veçantë është regjistruar në fshatin Frakull, në bashkinë Fier, ku janë djegur 200 rrënjë ullinj.
Përveç këtyre, dy zjarre kanë goditur edhe dy banesa, një në fshatin Zagorë, në bashkinë Malësi e Madhe, dhe një tjetër në një shtëpi të pabanuar në "Malin e Kolajt", në Velipojë. Fatmirësisht, këto incidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Për shuarjen e këtyre zjarreve janë angazhuar 32 automjete zjarrfikëse dhe 223 forca operacionale, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për të stabilizuar situatën dhe për të mbrojtur jetën e pasurinë e qytetarëve.
Për ditën e sotme, nga parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave pritet nivel rrezik “i lartë” në qarqet; Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rrezik “i moderuar”.
I gjithë sistemi i mbrojtjes civile është në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.
Ministria e Mbrojtjes fton qytetarët që në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre, të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri, si dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, djegia e mbetjeve apo hedhja e objekteve të ndezshme në natyrë.
Sipas MM-së çdo rast zjarri duhet të njoftohet menjëherë pranë strukturave vendore.



