Gjykata e Tiranës ka dënuar me 16 vite burg 29-vjeçarin Noel Dishi, i cili vrau me armë zjarri shokun e tij Vilson Tafçiun. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 20 janarit 2020, në zonën e Astirit në kryeqytet.
Noel Dishi, sipas Gjykatës së Tiranës, është gjetur fajtor për veprën penale “Vrasje me dashje” ndaj shtetasit Vilson Tafçiu. Po ashtu, gjatë shqyrtimit gjyqësor ai është gjetur fajtor edhe për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Dënimi për të u dha 16 vite burg në total, por për shkak të gjykimit të shkurtuar u ul në 10 vjet e 6 muaj.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, 29-vjeçari ka treguar se pak orë para se të ndodhte vrasja, gjendej në Prokurorinë e Durrësit ku u mor në pyetje për një rrëmbim të ndodhur ndaj tij 2 vite e gjysmë më parë, por që më pas është lënë i lirë. Pas dëshmisë është telefonuar nga shoku i tij Vilson Tafçiu dhe e kanë lënë të takohen në zonën e “Astirit” për t’u sqaruar për një konflikt që kishte nisur mes tyre në Francë.
Mes shokëve kishte lindur një debat, ndërsa viktima e ka kërcënuar se do ta mbyllte në bagazh të makinës dhe do ia bënte me keq se ata që e rrëmbyen. Në këtë moment, Dishi e ka qëlluar me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend. Gjatë marrjes në pyetje në polici pasi u dorëzua, i riu pranoi krimin duke shprehur edhe pendesë.



