Kryeministri Edi Rama gjatë diskutimit në debatin publik për rikthimin ose jo të basteve sportive, e bëri të qartë faktin se nuk do të ketë në asnjë mënyrë rikthim të sallave fizike të basteve në vend.
Rama tha se e vetmja gjë që do të marrë në konsideratë është rikthimi i basteve online.
Në fjalën e tij, Rama ripërsëriti faktin se sallat me parazitë që hidhnin në erë kursimet e prindërve nuk do të rikthehen në asnjë lloj mënyre.
Por, dua të them dy gjëra si reagim pas fjalës së dy personave kryesorë që përfaqësojnë të gjitha organizatat sportive të Shqipërisë. E para jam shumë dakord, nëse ne e kthejmë kokën pas se ku ishim, jemi sot si dita me natën. Por nëse e shohim përpara se ku duhet të jemi, jemi sot si nata me ditën.
Kemi pasur bashkëpunim shumë pozitiv me Federatën Shqiptare të Futbollit, kemi arritur të sjellim në Tiranë një finale europiane, por nevojat janë shumë më tepër sesa ato që kemi plotësuar. Kemi bërë palestra kudo në shkolla dhe kemi mundësi të hyjmë në kalendarin e parë kombëtar në nivel bashkish. Kemi regjistruar rreth 650 skuadra deri tani në futboll, basketboll, volejboll, me të gjithë bazën materiale.
I kemi dhënë një shumë masive 5 milionë si asnjëherë më parë komitetit. E kuptoj shumë mirë Fidelin se është pyetja po vitin tjetër. Se nëse japim çdo vit nga 5 milionë duhet ta heqim diku tjetër, pse mos t’ia heqim nga duart atyre që më shumë se 5 milionë marrin dhe ushqejnë gjithë të keqen. Reflektimi i vetëm është se doja t’ia jepja fjalën zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë, se ka qenë një nga pikat që kemi diskutuar intensivisht dhe drejtori realisht ka investuar shumë me aksione të suksesshme.
Që kur ka nisur ky debat, unë kam parë anën tjetër, se jam konsultuar me dy tre kryeministra dhe presidente të vendeve që i kanë ndaluar komplet.
Dhe janë përgjigjur sinqerisht se online është i pandalueshëm. Vazhdon edhe në ato vende, që në natyrën e tyre të ligjeve morale e kanë të ndaluar. Rezulton e pamundur që të bllokohet sistemi.
Kjo më bën edhe mua të prirur të jem i hapur ndaj kësaj zgjidhje sepse është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga duart e njerëzve që shkelin ligjin, ku kanë figuruar aktiv me përfitime krejt të paarsyeshme elementë me profil të lartë në krimin e organizuar.
Ne kemi pasur vullnet për ta lufyaar këtë fenomen, fakti që ky aktivitet nuk ka ardhur në rënie pavarësisht arrestimeve etj, nuk ka rënë si aktivitet. Që mos ketë ndonjëri iluzione. Nuk do kthehemi në asnjë mënyrë te sallat, lojërat, makineta aq për dreq e për shenjtan. Konsiderata që ne po bëjmë është për bastet sportive online. Salla parazitësh në Shqipëri që luajën për të hedhur në erë kursimet, nuk do të ketë.’



