Policia e Shtetit njofton se janë sekuestruar dy apartamente dhe një automjet, në pronësi të një 46-vjeçari nga Lezha, të akuzuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në fushën e narkotikëve.
Specialistët e Njësisë “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DPPSH, në kuadër të një procedimi pasuror, të iniciuar me qëllim gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtari të ndryshme kriminale, kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit Flori Pali, 46 vjeç, banues në fshatin Ungrej, Lezhë.
46-vjeçari është në hetim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Në kuadër të këtij procedimi pasuror, është vendosur sekuestrimi i 2 apartamenteve dhe i një automjeti, në pronësi të shtetasit Flori Pali.
Aktualisht vijon puna për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.
Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



