
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar sot prokurorin Anton Martini.
Komisioneri Publik më herët ankimoi vendimin për Anton Martinin, i cili është kandidat për prokuror në SPAK.
Martini ishte konfirmuar në shkallën e parë të Vettingut, por Komisioneri Publik e ankimoi vendimin në KPA duke gjetur mospërputhje të atyre çfarë deklaron Anton Martini nga ato që i janë gjetur.
KPK e konfirmoi në detyrë në fund të janarit, ndërsa me vendimin e sotëm të KPA prokurori Martini është shkarkuar.
Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004.
Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.



