Disa ndryshime të rëndësishme në nivele drejtuese janë ndërmarrë në strukturat e Policisë së Shtetit. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, janë firmosur lëvizje dhe emërime të reja në nivel drejtorie vendore dhe në krye të disa komisariateve në vend.
Konkretisht, lëvizjet e sapo firmosura përfshijnë, drejtorinë Vendore të Policisë Berat, ku Dritan Lena, i cili deri më tani mbante postin si Shef i Sektorit të Planifikimit Operacional në Drejtorinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë, transferohet dhe emërohet Drejtor i DVP Berat.
Në komisariatin e Policisë Sarandë, kryekomisar Saimir Shkambaj, i cili shërbente si Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë, transferohet dhe emërohet Shef i Komisariatit Sarandë.
Në komisariatin e Policisë Dibër, komisar Feliks Hoda, deri tani shef i Komisariatit të Policisë Sarandë, transferohet dhe emërohet Shef i Komisariatit Dibër, ndërsa në Komisariatin e Policisë Tropojë, komisar Andi Kano, i cili mbante detyrën e Shefit të Hetimit të Krimeve në Tropojë, komandohet tashmë Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë.



