
Në kuadër të aktiviteteve të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, është organizuar “Pink-Talk”, një aktivitet i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen e ministres Ogerta Manastirliu, grave që e kanë fituar betejën me kancerin e gjirit, mjekëve, ekspertëve të fushave të ndryshme.
Nga 1 nëntori në kalendarin kombëtar të vaksinimit do të përfshihet vaksina HPV, për mbrojtjen e vajzave nga kanceri i qafës së mitrës, bëri të ditur ministrja Manastirliu.
Unë jam e gëzuar të them se duke filluar nga data 1 nëntor, ne në Shqipëri, për të parën herë përfshijmë në kalendarin tonë të vaksinimit vaksinën kundër humanpapillomavirusit.
Kemi punuar gjatë për të arritur këtu dhe fakti që një vaksinë kaq efektive është dhe ne tashmë kemi mundësi që vajzat tona t’i vaksinojmë dhe të garantojmë që deri në 100%, që nuk do t’i prekë kanceri i qafës së mitrës, është një fitore, fitore padyshim e shkencës, por është një fitore e cila ne sjellim në këtë betejë të përditshme kundër sëmundjes dhe pikërisht kundër tumorit të qafës së mitrës.
Ndër të tjera ajo foli dhe mbi ndërgjegjësimin e grave për kryerjen e mamografisë.
“Falë investimeve në spitalet rajonale por edhe mamografive të lëvizshme, kemi arritur që 20 mijë gra në vit të kryejnë mamografinë falas.
Do të mundësojmë gjithashtu në kohë reale që nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm të kemi mundësi që të ecim më shpejt në raport me depistimin e hershëm të grave në grupmoshat +50 vjeç në zonat e thella dhe ato rurale të thella”.
Përsa i takon listën e barnave të rimbursueshme, Manastirliu bëri me dije se buxheti i vitit 2023 do të ketë një rritje për sa u përket barnave falas për sëmundjet kronike dhe ato tumoriale.



