
Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot zhvillon një takim me Këshillin grevist, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të nisur viti shkollor.
Sektori i arsimit ndodhet në grevë, pasi SBASHK-u po kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për paga.
Pas një takimi të dielën, kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, morën vendim që greva të vazhdojë për kohë të pacaktuar.
Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.
Qeveria e Kosovës thotë se projektligji që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon hapjen e shkollave.
Ndërkaq, Ymer Ymeri, sekretari i SBASHK-ut ka thënë se shpreson që sot do të gjendet një mirëkuptim për ta realizuar kërkesën e anëtarësisë, për shkak se shuma prej 100 eurove nuk është një shumë që rëndon buxhetin e Kosovës.
25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.



