
Kapen në Rinas dy persona të cilët tentuan që të kalojnë kufirin me dokumente false.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, paralelisht me angazhimin për t’iu ofruar shërbim korrekt shtetasve që hyjnë ose dalin nga kjo pikë e kalimit kufitar, ushtrojnë vazhdimisht kontrolle, bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën policore, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kalimit të kufirit, me dokumente të falsifikuara.
Si rezultat i kontrolleve janë goditur dy raste të tilla, për të cilat janë arrestuar në flagrancë shtetasi liberian S. K., 32 vjeç, banues në Poloni dhe shtetasi B. M., 34 vjeç, banues në Kosovë.
Këta shtetas i kanë paraqitur punonjësve të Policisë Kufitare, dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, për të dalë nga Shqipëria.
Pas verifikimeve nga punonjësit e Policisë Kufitare, me pajisjet dedektuese, ka rezultuar se këto dokumente ishin të falsifikuara.
Dokumentet false janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me dokumentet e identifikimit origjinale (pasaportë, ID) të shtetasit liberian, të cilat iu gjetën atij gjatë kontrollit fizik.
Materialet procedurale për këto raste i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.



