
Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë pas një konflikti për motive pronësie mes dy familjeve në fshatin Dedaj të Pukës.
Në pranga kanë rënë një 67-vjeçar me inicialet I. Sh., djali i tij 36-vjeçar F. Sh., si dhe 34-vjeçari G. I., ndërsa procedimi në gjendje të lirë ka nisur për 60-vjeçarin P. I. dhe bashkëshorten e tij 43-vjeçare F. I.
Sipas policisë, konflikti ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme, ku palët janë përplasur me njëra-tjetrën duke përdorur sende të forta dhe mjete të mprehta, për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi pronësinë.
Si pasojë e përleshjes kanë mbetur të plagosur shtetasi I. Sh. dhe G. I., të cilët janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka sekuestruar disa sende dhe mjete të dyshuara si të përdorura gjatë konfliktit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për hetime të mëtejshme.



