
Anduena Llabani
Genti Brahimi lë detyrën e tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë pas mbarimit të mandatit 3-vjeçar. Javën e ardhshme, 11 anëtarët e këtij këshilli pritet të zgjedhin drejtuesin e ri dhe të miratojnë rregulloren e re për vlerësimin e të gjithë prokurorëve. Që prej nisjes së vetingut, vlerësimi i karrierës së prokurorëve u stopua, duke i dhënë përparësi vetëm atyre që konkurronin për organet e reja të drejtësisë, siç ishte SPAK.
Aktualisht në sistemin e prokurorisë ushtrojnë detyrën 217 prokurorë nga një organikë prej 341 prokurorësh. Gjatë vitit 2021, në KLP janë paraqitur 8 kërkesa për mbrojtje nga prokurorë, të cilët kanë konstatuar se për shkak të ushtrimit të profesionit, jeta e tyre është vënë në rrezik.
Po gjatë këtij viti, mësohet se këshilli ka trajtuar edhe 7 kërkesa nga prokurorët për zgjatjen e afateve të mbrojtjes. Harta e kërkesave për mbroje fizike të paraqitura nga prokurorët gjatë vitit 2021, përkon me hartën e prokurorive më të mëdha dhe me aktitivitet më të rënda kriminale në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Durrës dhe Shkodër. Aktualisht në mbrojtje të veçantë janë 5 prokurorë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka paraqitur propozime për ndryshime ligjore që do të mund të adresojnë këtë problematikë. Ky institucion ka krijuar bazën elektronike, e cila përmban të dhëna për çdo zyrë prokurorie, procedurat nëpërmjet të cilave janë caktuar, emëruar apo transferuar prokurorët si dhe të dhëna të tjera statistikore, për shkakë të largimit të një numri të madh prokurorësh nga vetingu.
Kjo databazë përmban të dhëna të tjera specifike që lidhen me emërimin, vjetërsinë në punë, moshën e magjistratit, e që ndihmojnë në analizën rast pas rasti të lëvizjve qoftë nëpërmjet caktimit të përkohshëm, komandimit, transferimit, lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë të prokurorëve.



