Bosi i kriptomonedhave turke, Faruk Fatih Özer doli sot para Gjykatës së Elbasanit. Gjykata pritej të jepte një vendim për ekstradimin e tij drejt Turqisë, por seanca është shtyrë me kërkesë të avokatit. Ndërkohë avokati i turkut, nuk ka qenë i pranishëm sot në seancë.
Faruk Ozer u arrestua në jug të vendit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se ka mashtruar 400,000 persona, të cilët kanë depozituar 2 miliardë dollarë kriptovaluta në bursë.
Faruk Ozer i arratisur prej muajit prill të vitit 2021 akuzohet në Turqi se në bashkëpunim me persona të tjerë ngriti një skemë mashtrimi nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur.
Autoritetet atje i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë THodex ku iu gjetën 16 milionë lira. Sipas mediave turke, në momentin që është arratisur nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milion dollar në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit me akuzën e mashtrimit.



