Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë pasi janë kapur me një furgon duke transportuar 10 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesave 300-1000 euro/person
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Midnight 13", si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit T. M., 34 vjeç dhe A. P., 33 vjeç, të dy banues në Durrës.
Dy shtetasit e mësipërm u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në unazën e qytetit të Korçës, pranë vendit të quajtur "Kryqëzimi i Ersekës", teksa po transportonin me një automjet (furgon), me drejtues shtetasin T. M. dhe pasagjer shtetasin A. P., kundrejt pagesave 300-1000 euro/person, 10 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, me destinacion final shtetet e BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan furgoni, dy celularë dhe një vlerë monetare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.



