Gazeta prestigjioze amerikane The New York Times i ka kushtuar një artikull avatarit shqiptar të njohur si Diella, e promovuar si ministrja e parë në botë e krijuar nga inteligjenca artificiale, e cila synon të ndihmojë Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit.
Sipas gazetës, Diella është shndërruar në një simbol të përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për të rritur transparencën dhe për të modernizuar administratën publike, në një moment kyç kur vendi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
E prezantuar me veshje tradicionale shqiptare dhe e pranishme në konferenca ndërkombëtare, ajo ka tërhequr vëmendjen e medias botërore si shembull i përdorimit të inteligjencës artificiale në qeverisje.
Megjithatë, The New York Times vë në dukje një paradoks të fortë: drejtuesit e institucionit shtetëror që zhvilluan Diellën janë vënë nën hetim për dyshime mbi manipulimin e tenderëve publikë.
Muajin e kaluar, prokurorët e SPAK vendosën në arrest shtëpie drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Informacionit dhe zëvendësen e saj, të dyshuar për lidhje me një organizatë kriminale që dyshohet se ka ndikuar në aplikimet për kontrata publike përmes kërcënimeve.
E njëjta agjenci administron edhe infrastrukturën dixhitale të shtetit, përfshirë vetë sistemin e Diellës.
Zyrtarët ende nuk janë akuzuar zyrtarisht, ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar se do të qëndrojë larg ndërhyrjes në procesin penal, duke theksuar se “duhet të presim dhe të shohim”.
Aktualisht, Diella përdoret për të ndihmuar qytetarët të aplikojnë online për shërbime publike, duke shmangur burokracinë dhe ryshfetin.
Në fazën e ardhshme, ajo pritet të përfshihet edhe në vlerësimin e tenderëve publikë, bazuar në të dhëna dhe algoritme, nën mbikëqyrjen e auditorëve njerëzorë.
Gazeta amerikane thekson se lufta kundër korrupsionit mbetet një kusht thelbësor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një raport i Bashkimit Europian nga nëntori njeh disa përparime, por paralajmëron se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur, veçanërisht në sektorin e prokurimeve publike.
Ndërsa disa ekspertë ndërkombëtarë vlerësojnë se Diella ka rritur efikasitetin dhe paanshmërinë në vendimmarrje, të tjerë mbeten skeptikë për ndikimin e saj real, sidomos pas hetimeve ndaj zhvilluesve të sistemit.
“Ka skepticizëm, por fakti që hetimi nuk është fshehur tregon se problemi i korrupsionit po pranohet dhe po trajtohet”, deklaroi eksperti Andi Hoxhaj për New York Times.
Edhe kryeministri Rama ka pranuar se procesi nuk është i përsosur, por këmbëngul se përpjekjet për të luftuar korrupsionin po vazhdojnë. “Kjo përpjekje, me të gjitha dobësitë e saj, është një hap pozitiv”, është shprehur ai.



