Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me forcat e posaçme “Shqiponja”, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Siguria”, pas marrjes së informacionit se një shtetas po qarkullonte i armatosur.
Si rezultat i operacionit, në qytet Laç, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip “Mercedes-Benz”, në të cilin dyshohej se udhëtonte shtetasi i armatosur, dhe e ndaluan për kontroll.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. P., 34 vjeç, banues në Laç, Kurbin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.



