
Një aksion i gjerë i Prokurorisë së Sarandës është zhvilluar këtë të hënë në qytetin bregdetar dhe zonën e Ksamilit, ku janë firmosur 11 urdhër-arreste ndaj punonjësve të Komisariatit të Sarandës, zyrtarëve vendorë, si dhe personave të lidhur me sektorin e ndërtimit dhe biznesit.
Sipas burimeve paraprake, hetimet lidhen me dyshime për shkelje të ndryshme penale që kanë të bëjnë me ndërtimet pa leje në zonat turistike të Sarandës dhe Ksamilit.
Operacioni po zbatohet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Sarandës, ndërsa kontrollet po zhvillohen njëkohësisht në disa zona.
Deri më tani raportohet se janë arrestuar Kristofor Shkrepa, specialist policie në Ksamil, si dhe biznesmeni Alqi Papa, pronar i hotelit “Oasis”. Ndërkohë, identitetet e personave të tjerë të përfshirë në hetim ende nuk janë bërë publike nga autoritetet.
Po ashtu, masa sigurie janë lëshuar edhe për kryeinspektorin e IMT-së në Sarandë, Eduart Veli, si dhe për Arjola Dhramin dhe Xhaferr Bajon, pronarë të beach-barit “Copacabana” në Ksamil.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se operacioni vijon dhe priten zhvillime të tjera në orët në vijim.



