
Një zjarr i madh ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në Kaninë të Vlorës.
Zjarri ka rënë në zonën e Bishtit të Kalldrëmit e më pas ka shkuar në zonën e Kaninës.
Për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar tre mjete zjarrfikëse. Sipas tyre zjarri ka marrë përmasa të mëdha e po djeg ullinj e toka të fshatit.
Helikopteri i Forcës Ajrore është angazhuar në shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me ullinj në Kaninë të Vlorës.
Lajmin e dha ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili ndau edhe pamje nga operacioni për shuarjen e flakëve me helikopter.
Helikopteri i Forcës Ajrore i është përgjigjur menjëherë kërkesës së autoriteteve vendore dhe është angazhuar në shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me ullinj në Kaninë të Vlorës.
Peleshi shtoi gjithashtu se, ekipi i helikopterit ndihmoi më parë edhe në fikjen e zjarrit në Patos.
Gjatë ditës së sotme zjarre kanë rënë edhe në Patos ku janë djegur sipërfaqe me ullinj dhe një vilë dy katëshe.



