Policia e Shkodrës ka arrestuar një 23-vjeçar, pasi ishte shpallur në kërkim, i akuzuar si pjesë e grupit të fajdeve në Shkodër.
Policia ka vënë në pranga shtetasin me inicialet J.A., 23 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrim i produkteve të vepres penale”.
Operacioni për arrestimin e bandës së fajdeve nisi në mars të vitit të kaluar, pas denoncimit të prefektit Paulin Radovani, ndërsa deri më tani, 13 persona janë vënë në pranga dhe 3 të tjerë janë në kërkim. Nga personat e arrestuar, 6 u lanë të lirë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Apelit Shkodër.
Grupi i fajdexhinjve merrte një interes prej 23% në javë dhe nëse nuk ktheheshin lekët ata merrnin prona dhe makina dhe i kalonin në emër të tyre. Të përfshirë rezultuan ish-kancelarë gjykate, noterë e policë.



