
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka falënderuar strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Kufirit për finalizimin e operacionit ndërkombëtar antidrogë Itali-Shqipëri-Kosovë.
Veliu mblodhi sot në një takim, drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, drejtorin e Departamentit të Policisë Kufitare, Eduart Merkaj, dhe drejtuesit e strukturave në varësi të tyre, të cilat morën pjesë në operacionin ndërkombëtar antidrogë, u shprehu atyre vlerësimin maksimal për profesionalizmin e treguar, koordinimin e veprimeve, si dhe ruajtjen e kofidencialitetit.
Ky bashkëpunim çoi në finalizimin me sukses të operacionit, gjatë të cilit u sekuestruan 400 kg kokainë dhe u vunë në pranga 7 persona.
“Dua t’i falënderoj të gjithë drejtuesit dhe oficerët e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Policisë Kufitare, për angazhimin dhe kontributin në finalizimin e këtij operacioni shumë të suksesshëm, rezultatet e të cilit treguan dhe njëherë më së miri që ne, Policia Shqiptare, jemi tashmë partner i besueshëm, jemi një strukturë që ka arritur pjekurinë dhe profesionalizimin për të bashkëpunuar si e barabartë me të gjitha agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit. Është për t’u vlerësuar jo vetëm finalizimi me sukses i këtij operacioni, por edhe qëndrueshmëria dhe ruajtja e kofidencialitetit dhe e mosdekonspirimit të asnjë veprimi gjatë 15 ditëve të zgjatjes së operacionit”, shtoi ai.
Veliu, gjithashtu, tha se shpresonte që finalizimi i këtij operacioni të shërbejë si një “ogur i mirë” për operacionet e së ardhmes.
“Uroj dhe shpresoj që ky rast të na shërbejë si një ogur i mirë, që ne të jemi më të organizuar edhe në raste të tjera, ku ne do të ballafaqohemi me informacione të kësaj natyre, pavarësisht destinacionit të ngarkesave të realizojmë dhe organizojmë punën për të mbërritur te pritësit apo për ta thelluar procesin deri në fund. Shumë faleminderit edhe njëherë dhe suksese”.



