Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë kanë arrestuar një 22-vjeçar, i cili ndonëse ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, shkelte vendimin gjyqësor duke dalë nga banesa dhe shitur lëndë narkotike në doza.
Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, policia organizoi një aksion për kapjen në flagrancë të shtetasit F. G., i cili u konstatua duke qarkulluar me automjet, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkodrës që më herët i kishte caktuar masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë arrestuan në flagrancë shtetasin F. G., 22 vjeç, banues në fshatin Pulaj, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.



