
Autoritetet zvicerane kanë ekstraduar në Itali 33-vjeçarin Taulant Pasho, i dyshuar se mund të ketë dijeni për vrasjen e prindërve të tij, Shpëtim dhe Teuta Pasho. Këta të fundit u gjetën të copëtuar në disa valixhe të braktisura pranë burgut në Solliçiano në Firence, në dhjetor të vitit 2020. Ndërsa rezultonin të zhdukur që prej vitit 2015.

(Në foto: Shpëtim dhe Teuta Pasho)
Mediat italiane shkruajnë se arsyet e kërkesës për ekstradim nga prokurori i Firences nuk kanë të bëjnë me hetimin për vrasjen e çiftit vlonjat, por për një dënim me 3 vjet e katër muaj burg pasi u kap me 6 kg hashash në një garazh në Firence. Për këto fakte, Taulant Pasho u arrestua në flagrancë në 11 qershor 2016, ndërsa dënimi përfundimtar u dha më 19 dhjetor 2019.
Pasho, i cili tani është duke vuajtur dënimin e tij në burgun e Comos, u arrestua në Zvicër në tetorin e vitit të kaluar për arsye të tjera, vjedhje dhe shkelje. Së bashku me të, në hetimet për vdekjen e bashkëshortëve të Pasho-s, përfshihet edhe ish-e dashura e tij, Elona Kalesha, e cila ndodhet në burgun Fiorentin të Solliçiano. Nën hetim për ngjarjen është edhe vëllai i saj i vogël, Denis Kalesha. Kthimi i 33-vjeçarit Taulant Pasho në Itali mund të sjellë një pikë kthese në hetime teksa vijojnë kërkimet për prova dhe ADN që lidhen me vdekjen e çiftit Pasho.



