Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili prej muajit shkurt mbahet i izoluar në paraburgimin e Durrësit, do të kërkojë sot lirinë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Në orën 14:00 Veliaj do të përfaqësohet në seancë nga avokatët e tij. Ndërkohë në Gjykatën e Lartë pritet të caktohet data e seancës së rekursit për masë sigurie.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live bën me dije:
“Heqja e arrestit në burg me pretendimin se është i gatshëm të ofrojë edhe garanci pasurore, është kërkesa e parë, ndërsa kërkesa e dytë është ajo e informacioneve dy mujore se çfarë ka bërë Prokuroria dhe pse e vlerëson të ligjshme mbajtjen në qeli të Veliajt. Përballë tij do jetë prokurori Olsi Dado. Fillimisht do jetë gjyqtari Pëllumbi që do shqyrtojë ankesën dhe më pas Erjon Bani. Vet Veliaj s’do jetë i pranishëm fizikisht në seancë. Së fundmi SPAK ka bërë një procedim për dyshimin për fshehje pasurie për një apartament. Pak minuta më herët në respekt të masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’ këtu ishte bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Hapi tjetër në rast se nuk ndryshon asgjë do jetë rekursi në Gjykatën e Lartë”.



