
Një i ri në Kavajë është arrestuar nga policia për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit, ndërsa është proceduar penalisht pronari i lokalit ku ushtrohej aktiviteti.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Final Game", në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. D., 25 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale "Organizimi i lotarive të palejuara".
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi E. L., 31 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale "Punësimi i paligjshëm".
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit E. L., shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin M. D., punonjës në lokal, duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit (lotarive sportive), me anë të aparatit celular.
Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar që shtetasi E. L. e kishte punësuar shtetasin M. D., në mënyrë të paligjshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.



