Shtatë persona janë arrestuar pasi akuzohen për ushtrim të aktivitete të dyshimta dhe të paligjshme pranë Bankës së Shqipërisë.
Përmes një njoftimi për mediat, policia tha se janë finalizuar dy operacione për goditjen e aktiviteteve të paligjshme në zonën pranë Bankës së Shqipërisë.
“Procedohen penalisht 7 shtetas, për ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare. Sekuestrohen 21 milionë lekë, 23300 euro dhe 9500 dollarë”, citohet nga njoftimi.
Mësohet se si rezultat i kontrolleve të befasishme, janë realizuar dy goditje të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duket proceduar penalisht shtatë shtetas, konkretisht: M. H, Sh. Sh, L. J, R. F, A. Z, A. M. dhe Y. M.
Sipas policisë, këta shtetas në mënyrë të kundërligjshme, në zonën përballë Bankës së Shqipërisë, ushtronin veprimtari financiare të këmbëmit valuator pa licencë.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.



