Pas kontrolleve në banesën e biznesmenit amerikano-izraelit Ron Yefet, mësohet se SPAK heton për dy vepra penale “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë të tendera. Hetimi nisi kryesisht pas disa audio përgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri në arrati Arben Ahmetaj. Sipas tij Ahmetaj deklaroi se bisedat lidhen me një skemë të dyshuar trafik armësh dhe municionesh përmes Shqipërisë.
Burime jozyrtare bëjnë më dije se gjatë veprimeve hetimore i është sekuestruar celulari ish-sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes Aleks Marku. MCN komunikoi me zyrën e shtypit të ministrisë së mbrojtjes të cilët shprehen se nuk e disponojnë këtë informacion, por thonë se Aleks Marku prej disa muajsh nuk më pjesë e këtij institucioni.
Një ditë më parë me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO, ka shtrirë kontrolle në banesën e biznesmenit Ron Yeffet si dhe disa prej personave dhe institucioneve të përfshira në hetimin që lidhet me pretendimet për trafikun e armëve.
Kontrolle janë zhvilluar në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, në periferi të Tiranës, gjithashtu edhe në banesën e Ardi Veliut, drejtorit të kompanisë shtetërore KAYO dhe Arjeta Pucës, pronare e kompanisë TIMAK. Të njëjtat burime jozyrtare thonë se SPAK ka sekuestruar edhe telefonin e biznesmenit Ron Yeffet, të biznesmenes Arjeta Puca dhe kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.
Sipas burimeve në kuadër të të njëjtit hetim të nisur kryesisht, kontrolle janë zhvilluar edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, institucion që drejtohet nga ministri Ermal Nufi. Nga ambientet e ministrisë, sipas burimeve, janë sekuestruar një sërë dokumentesh, të cilat pritet të administrohen si pjesë e materialit hetimor.



