
Zbardhen të tjera detaje lidhur me krimin e ndodhur sot në kryeqytet, në afërsi të “Harry Fultz”. MCN Tv zbulon se autori i vrasjes është Olgert Dhimitri, ndërsa viktima Ilir Kapo.
Mësohet se autori 37-vjeçar ka qenë paraditen e sotme në gjendje të dehur, duke u konfliktuar me 60-vjeçarin, me të cilin banonin në të njëjtën lagje. Sherri verbal ka nisur në lokal dhe më pas autori dhe viktima kanë dalë jashtë mjediseve të barit.
Dhimitri e ka goditur Kapon me thikë, duke bërë që ai të ndërrojë jetë rrugës për në spital. Sipas burimeve dyshohet se autori është përdorues i lëndëve narkotike.
Në njoftimin paraprak të Policisë thuhej: “Më datë 07.05.2022, rreth orës 11:15, në afërsi të "Harry Fultz", shtetasi O. Dh., 37 vjeç, ka goditur me mjete prerëse shtetasin I. K., 60, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Autori i dyshuar është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.



