Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka paditur në SPAK gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Sokol Tona. Në kërkesën drejtuar SPAK-ut, Aleanca nxit regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj gjyqtarit Sokol Tona për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Artistët kërkojnë marrjen e masës së “pezullimit nga detyra” deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.
Një muaj më parë, gjyqtari Tona pushoi çështjen ndaj nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili u kallëzua penalisht nga “Aleanca për Mbrojten e Teatrit”, për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Sipas gjyqtarit Sokol Tona, çështja është pushuar me argumentin se nuk ekziston vepra penale. Aleanca për Teatrin ka kërkuar që çështja t’i kalojë për kompetencë SPAK-ut.
Në vitin 2019, Aleanca për Teatrin depozitoi një kallëzim penal me pretendimin se ishte bërë një pagesë në një hotel luksoz, “Alma Barcelonë” me shifrën e 1 800 eurove në Barcelonë, nga kompania Fusha shpk, për nënkryetarin Arbjan Mazniku. Ky i fundit kishte qëndruar 2 ditë në hotelin luksoz. Vetë numri dy i bashkisë Tiranë, në një prononcim për “Zërin e Amerikës”, pranoi se kishte fjetur në hotelin luksoz në Barcelonë dhe tha se kishte paguar Fusha.



