
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen e së martës në zonën e Sukthit, në Durrës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, një 28-vjeçar ka humbur jetën në vendngjarje.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:45, në rrugën që lidh Sukthin me Rrushkullin, në lagjen “Stalla”.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, një automjet i drejtuar nga shtetasi M.V., 19 vjeç, është përplasur me një motomjet që drejtohej nga shtetasi A.SH., 28 vjeç.
Për shkak të plagëve të rënda të marra nga përplasja, 28-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve dhe ka ndërruar jetë në vend.
Menjëherë pas aksidentit, në zonë kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia bëri me dije se drejtuesi i automjetit, 19-vjeçari M.V., është arrestuar dhe po merret në pyetje lidhur me aksidentin. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e plotë të ngjarjes tragjike.



