Vijojnë hetimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur pak pas mesnatës të së dielës, ku u qëllua me armë në drejtim të godinës së televizionit kombëtar, Top Channel. Sipas burimeve nga policia, për ngjarjen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku zhvilloi një mbledhje me strukturat ku janë analizuar edhe provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, ku si pasojë e të shtënave humbi jetën roja e sigurisë, Pal Kola.
Automjeti i djegur nga autorët pas ngjarjes, i është nënshtruar në kontrolli të imtësishëm nga grupi hetimor.
Top Channel shkruan se janë gjetur prova të vlefshme, të cilat janë përcjellë në laboratorin shkencor dhe pritet të nxjerrin profile ADN-je dhe shenjë gishtash të cilat do të verifikohen nga databasat e policisë.
Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar edhe disa persona si të dyshuar, të cilët janë mbajtur në drejtoritë vendore e më pas janë përcjellë në policinë e Tiranës, ku i është bërë një ekzaminim për faktorë plotësues në duar për të parë nëse kanë qëlluar me armë zjarri.



