Janë zhvilluar këtë të hënë seancat gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë ndaj 31-vjeçarit Kostandin Vogli dhe 50-vjeçarit Tori Ruci alias Viktor Ruci, të përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen e 66-vjeçarit Rexhep Ismaili në Sarandë.
Sipas hetimeve, përplasja mes dy personave lidhej me një konflikt pronësie për një beach-bar në bregdetin e Himarës. Sherri degradoi fillimisht në dhunë fizike me sende të forta dhe më pas përfundoi me vrasjen e Ismailit mbrëmjen e 7 majit në zonën e Gjashtës.
I pari që u paraqit para Gjykatës ishte 50-vjeçari Tori Ruci, i ndaluar nga policia të shtunën, pasi ndaj tij ishte vendosur masa “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Pas shqyrtimit të kushteve të masës së sigurisë, gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi lënien në fuqi të “Arrestit në shtëpi”, duke e detyruar Rucin të mos largohet nga banesa e tij në fshatin Gjashtë të Sarandës. Mësohet se ai ka qenë i dënuar edhe më parë për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Më pas, prokurorja Armida Kaçi dhe gjyqtari Hysometaj zhvilluan seancën ndaj Kostandin Voglit në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, ku 31-vjeçari ndodhet i shtruar nën masa sigurie, pasi mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë.
Prokuroria ngriti ndaj tij akuzat për “Moskallëzim krimi”, “Shkatërrim prone” në bashkëpunim dhe “Kanosje” në bashkëpunim. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës “Arrest në burg”.
Megjithatë, Gjykata mbajti një qëndrim ndryshe nga Prokuroria lidhur me cilësimin juridik të ngjarjes. Sipas gjyqtarit, bazuar në aktet e deritanishme hetimore, vepra penale duhet të klasifikohet si “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si edhe “Moskallëzim krimi” dhe “Shkatërrim prone” në bashkëpunim.



