Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar për ngritjen e një aktakuze ndaj tetë personave, përfshirë individë dhe subjekte juridike, nën akuzat për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Shpëlarje të parave”.
Sipas Prokurorisë, aktakuza është rezultat i hetimeve disa vjeçare dhe është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. Në listën e të akuzuarve përfshihen individët E.M., K.A., E.LL., K.LL. dhe I.L., si dhe subjektet juridike “M…”, “AHK” dhe “QKK”.
Prokuroria deklaron se të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprat penale të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave.
Prokuroria nuk ka përmendur emrat e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuza dhe as emrat e bizneseve, ndërsa në publik janë përmendur emrat e pronarëve të RTV Dukagjini, Ekrem Lluka dhe pronarit të televizionit T7 dhe themeluesit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, si dhe njërit prej zyrtarëve të Spitalit Amerikan në Kosovë, Igli Larashi.
Spitali Amerikan në Kosovë ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me siç thotë rrjedhjen e paautorizuar të një aktakuze të Prokurorisë Speciale, ku ky institucion përmendet si palë e dyshuar.
Në një deklaratë publike, Spitali Amerikan thekson se nuk ka pranuar ende zyrtarisht aktakuzën, duke theksuar se kjo situatë përbën një shkelje serioze të parimeve të shtetit të së drejtës.
Spitali ka akuzuar Prokurorinë Speciale për krijimin e një perceptimi publik të padrejtë nëpërmjet komunikatave sensacionaliste dhe rrjedhjes së informatave.
Spitali Amerikan ka kërkuar hetime të plota për rrjedhjen e aktakuzës dhe mbajtjen përgjegjëse të atyre që kanë shkelur konfidencialitetin.
Duke u ndalur te reputacioni i tij, Spitali Amerikan nënvizon se është një investitor i huaj në Kosovë, me aksionarë amerikanë dhe evropianë, dhe se të gjitha vendimet e tij janë marrë në mënyrë kolektive dhe transparente.
Po ashtu, Dukagjini Group, i cili gjithashtu përmendet në aktakuzë, ka reaguar ashpër ndaj situatës, duke e cilësuar atë si një përpjekje dashakeqe për të dëmtuar reputacionin e tij.
Grupi ka theksuar se as ata nuk e kanë pranuar ende aktakuzën dhe do të japin deklarata të plota vetëm në Gjykatë.
“Veglat e këtyre dashakëqijve përpiqen të krijojnë epërsi të padrejtë në opinionin publik me komunikata sensacionaliste dhe me rrjedhje të informatave të gjymtuara,” thuhet tutje.
Ndërkohë, të dy institucionet kanë shprehur besim në sistemin gjyqësor dhe kanë deklaruar se do të mbrojnë të drejtat e tyre në mënyrë ligjore.



