
Policia e Kosovës ka sekuestruar sasi të ndryshme municioni, armësh dhe pajisjesh të dyshuara ushtarake gjatë kontrolleve në tri shtëpi të pabanuara serbe në Zubin Potok.
Sipas njoftimit të Policisë, tri rastet janë regjistruar rreth orës 02:00 të së dielës, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Në njërin nga lokacionet janë gjetur 432 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 18 fishekë të një kalibri të panjohur.
Në një tjetër shtëpi, policia ka konfiskuar 204 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 56 gëzhoja, një bajonetë, një maskë ushtarake dhe tri pajisje për ushqim ushtarak.
Ndërsa në rastin e tretë janë gjetur një pushkë ajrore, 31 fishekë dhe disa para të vjetra jugosllave.
Për të tri rastet është njoftuar prokurori kompetent.
Në një prej tyre është urdhëruar nisja e hetimeve, ndërsa rastet e tjera po trajtohen nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.



