Misionari i pajtimit të gjaqeve në Lezhë ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi sot Lezhën duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje fenomenin e gjakmarrjes. Pjetër Gjoka thotë se dy familjet nuk ishin pajtuar, por mes tyre nuk kishte pasur përplasje gjatë kohëve të fundit, ndaj edhe ngjarja e sotme i ka habitur të gjithë. Ai tregoi edhe një episod kur viktima Lek Lekëgjonaj i kishte shkuar në shtëpi pak ditë pasi i vëllai kreu krimin.
Gjoka shprehet se “negociatat” mes dy familjeve janë penguar për shkak se djali i viktimës në vitin 2009 ishte në moshë të mitur dhe e shoqja u vetëflijua duke pirë helm. Më pas shton ai, mes palëve nuk kishte pasur probleme që të jepte sinjalizime për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot.
Sipas tij shkak, për vrasjen e sotme është edhe drejtësia e munguar pasi autori që i mori jetën babait të 17-vjeçarit Florian Pervathi bëri vetëm 4-5 vite burg dhe më pas u largua nga Shqipëria.
Lezha u trondit paraditen e sotme nga një krim për gjakmarrje. 17-vjeçari Florian Pervathi vrau me armë zjarri Lek Lekgjonajn pasi vëllai i këtij të fundit i kishte vrarë babanë në vitin 2009.Tragjedia u thellua akoma më shumë, kur nëna e të riut piu helm sapo mori vesh ngjarjen e rëndë.



