Si rezultat i kontrolleve intensive të ushtruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të bazuara në informacionet e siguruara në rrugë operative, janë kapur dhe arrestuar tre shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Të arrestuarit ishin dënuar më parë nga Gjykata për veprën penale të “plagosjes me dashje”, ndërsa ndaj tyre ishte lëshuar urdhër ekzekutimi i vendimit penal.
Kësisoj specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën dhe vunë në pranga shtetasin M. H., 31 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 2 muaj e 22 ditë burgim.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. F., 29 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 8 muaj e 22 ditë burgim.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kapën shtetasin K. Dh., 35 vjeç, për të cilin Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për vepra penale “Plagosje e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim dhe “Prishja e qetësisë publike”. 35-vjeçari iu dorëzua DVP Elbasan, për veprime të metejshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



