Tharja e kanalit vaditës Polis-Tudan ka ngritur sot në protestë banorët e Njësisë Administrative Shushicë në Bashkinë e Elbasanit.
Ata bllokuan rrugën Shushicë-Fushë Buall duke mos lejuar të kalonin asnjë banorë, dhe kryesisht mjetet e firmës e cila po ndërton disa hidrocentrale në këtë zonë.

Banorët fajësojnë mjetet e firmës në fjalë se kanë bllokuar kanalin vaditës, ndërsa atyre po u thahen të mbjellat.
Në një kohë të zakonshme banorët thonë se uji për vaditje u çelet në mës të muajit maj.
Duke qenë se ka kaluar më shumë se dy javë nga kjo periudhë tregojnë se të mbjellat u janë dëmtuar.
Në disa momente banorët u konfliktuan me administratorin e firmës e cila po ndërton hidrocentrale në Fushë Buall, por dhe me administratorin e Njësisë Administrative Shushicë.
Palët pretenduan se kjo ishte kompetencë e Bordit të Kullimit, duke anashkaluar përgjegjësinë.
Nga mungesa e ujit për vaditje preken disa fshatra, ndërsa nga bllokimi i rrugës sot është pezulluar mësimi në shkollën e fshatit Fushë Buall pasi mësuesit nuk kanë patur mundësi të shkojnë në shkollë.
Ndërkohë i kontaktuar nga MCN, Bordi i Kullimit u shpreh se janë në dijeni të problematikës.
Sipas drejtuesit të këtij sektori Genti Aliçkolli, Kanali Vaditës është në funksion të plotë për ujitje por problemi qëndron tek çuarja e ujit tek vepra e marrjes pasi si pasoje e reshjeve kanë shkarë dy masive me gurë dhe kanë bllokuar kanalin hyrës.
Aliçkolli pretendon se po punohet me krahë, pasi nuk hyjnë mjetet pasi është terren i vështirë, por premton se deri në fundjavë situata do të marrë zgjidhje.



