
Ekipi mbështetës i përbërë nga Gregory Kehoe, Joe Reeder, Greenberg Legal Associates dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit në rastin e tij në Gjykatën Speciale.
Si arsyetim në kërkesë është përmendur moskryerja e obligimeve ndaj tyre.
“Thaçi nuk ka përmbushur detyrimin ndaj Gregory Kehoe, Joe Reeder, Asociacionit Greenbuerg Legal dhe anëtarëve të ekipit mbështetës dhe Thaçit i është dhënë një paralajmërim i arsyeshëm se do të kërkonin përfundimi nëse nuk u është përmbushur detyrimi”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Në njoftim është përfshirë kërkesa zyrtare e mbrojtjes së Thaçit, derisa thuhet se sipas rregullores, kur të caktohet grupi tjetër i mbrojtjes, avokatët paraprak duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në një periudhë prej jo më shumë se 45 ditë”.
Lidhur me këtë fakt, Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet një komunikate për shtyp të martën, njoftoi se është përgjegjëse vetëm për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar në mënyrë private nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në paraburgim.



