Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 23:10, në aksin Palasë–Dhërmi, ku një automjet tip “Benz” me targë AA 318 IF, i drejtuar nga shtetasi Martin Konici, 36 vjeç, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore të rrugës.
Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në vendngjarje një nga pasagjerët, një fëmijë 9-vjeç.
Dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur lehtë, përfshirë drejtuesin e mjetit dhe një pasagjer tjetër, E. A., 20 vjeç, të cilët janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake, rezulton se drejtuesi i mjetit ka qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.
Për këtë arsye, specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Martin Konici, i cili do të përballet me akuzën për “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.



