
Një pronar lokali në kryeqytet, është arrestuar nga agjentët e seksionit për hetimin e narkotikëve në Policinë e Tiranës, pasi gjatë kontrollit në biznesin e tij gjetën dhe sekuestruan një sasi kanabisi. “Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” të shtetasit: B. L., 35 vjeç, pasi në bashkëpunim dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të këtij shtetasi dhe të 9 klientëve të konstatuar aty (të proceduar në gjendje të lirë) u gjetën dhe u sekuestruan sasi me lëndë narkotike kanabis”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve është arrestuar në flagrancë shtetasi A. A., 39 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0. 58 mg/l, nuk i është bindur urdhërit të shërbimeve të Policisë për të ndaluar. Gjithashtu, nga kontrolli fizik i ushtruar, Forca e Posaçme “Shqiponjat” gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë.



