Policia e Tiranës ka njoftuar se në kuadër të operacionit policor të koduar "The runner", ka arrestuar 40 vjeçarin, autorin e dyshuar për pesë vjedhje të ndryshme, 3 prej tyre të kryera me dhunë.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:
- A. Sh. alias J. N., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Vjedhja" dhe "Vjedhja me dhunë";
- R. P., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale apo veprimtaria kriminale“.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. Sh. alias J. N., gjatë muajit gusht, ka kryer 5 vjedhje të ndryshme, 3 prej të cilave me dhunë, konkretisht:
- Më datë 02.08.2023, ka vjedhur sende personale në një automjet, në rrugën “Ali Demi”;
- Më datë 10.08.2023, i ka vjedhur me dhunë çantën një shtetaseje, në rrugën “Ali Demi”;
- Më datë 11.08.2023, ka vjedhur një ekran (monitor) në një biznes, në Rrugën e Elbasanit;
- Më datë 16.08.2023, i ka vjedhur me dhunë nga qafa varësen e floririt një shtetaseje, në rrugën "Xhanfize Keko", si dhe i ka vjedhur me dhunë aparatin celular një shtetasi, në Rrugën e Elbasanit.
Gjatë dokumentimit të plotë ligjor të vjedhjeve të kryera nga 40-vjeçari, ka rezultuar se sendet e vjedhura prej tij i përvetësonte shtetasi R. P., i cili i shiste në dyqanin e tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një varëse dhe një aparat celular, të dyshuar të vjedhur.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



