Një person është arrestuar nga policia e Korçës pasi shpërndante kanabis në qytet, si dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Gj., 30 vjeç, banues në Korçë, si edhe u proceduan penalisht shtetasit K. M., A. C. dhe M. S.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se 30-vjeçari shpërndante në qytet lëndë narkotike në doza të vogla, janë organizuar shërbimet, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në flagrancë duke iu shitur tre shtetasve të tjerë, doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Nga veprimet e mëtejshme procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit P. Gj., shërbimet e policisë gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi tjetër me lëndë narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.



