
Një aksident i rëndë rrugor me pasojë tre viktima ka tronditur Vlorën, ndërsa hetimet paraprake hedhin dyshime mbi shkaqet që çuan në këtë tragjedi.
Korrespondentja nga Vlora, Ariola Hasanaj, për "MCN live", bën me dije se, sipas të dhënave të para, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë pozicionimi i gabuar i njërit prej automjeteve në rrugë, si dhe tejkalimi i shpejtësisë nga mjeti tjetër.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën e Drashovicës, në aksin Vlorë-Kotë, përgjatë rrugës së lumit të Vlorës, një segment i njohur për qarkullim të dendur. Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur kokë më kokë.
Si pasojë e përplasjes, dy drejtuesit e mjeteve, Adi Alushaj (rreth 30 vjeç) dhe Esat Brahimaj (rreth 40 vjeç), humbën jetën në vendngjarje. Pasagjeri në një prej automjeteve, Andrea Begaj, u transportua në gjendje kritike në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë disa orë më pas.
Burime paraprake bëjnë me dije se një nga mjetet, tip “Ford”, dyshohet se ka qenë i pozicionuar gabim në mes të rrugës, duke krijuar rrezik për qarkullimin.
Ndërkohë, mjeti tjetër, tip “Benz”, dyshohet se lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara, rreth 110–120 km/h, në një segment ku kufizimi është 80 km/h.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.



