Policia e Shtetit ka zhvilluar një tjetër operacion në Shkodër, duke goditur një grup të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytet.
Operacioni, i koduar “Target Group”, u realizua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me forcat operacionale dhe “Shqiponjat”.
Ai u bazua në informacione operative për shitje droge, kryesisht në zona të frekuentuara nga të rinjtë.
Gjatë ndërhyrjes, policia zbuloi një ambient të marrë me qira në lagjen “Manush Alimani”, i cili përdorej për fshehjen, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Në flagrancë u arrestuan dy shtetas, N. F., 18 vjeç dhe K. Z., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër, të kapur me doza të dyshuara kokaine dhe kanabisi.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi L. A., 23 vjeç, i cili dyshohet se kishte marrë me qira ambientin ku, së bashku me dy të arrestuarit, fshihnin dhe përgatisnin lëndën narkotike në doza për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi dozash të lëndëve të dyshuara narkotike, qindra qese farmaceutike për paketim, 5 peshore elektronike, 2 celularë, 1 armë e ftohtë (shkop metalik), 1 motomjet dhe një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.



