
Katër persona janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Shkodrës pasi reklamonin makina me qira, përfitonin para dhe nuk ofronin shërbimin.
Prokuroria Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit Arsid Kurtaj, Orest Kurtaj për veprën penale “Mashtrimi”, shtetasen M.P., për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190, paragrafi i tretë i Kodit Penal dhe shtetasin A.K. për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, të kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të procedimit penal nr.71, të vitit 2024, rezultoi se, se të pandehurit Arsid Kurtaj dhe Orest Kurtaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hapur fiktivisht një faqe interneti “Autorental Tirana”, ku kanë reklamuar automjete të ndryshme për dhënie me qira.
Për të kontaktuar me personat të cilët shfaqnin interes për marrjen e këtyre automjeteve me qira ata kanë përdorur një numër telefoni të regjistruar në emër të një personi të tretë dhe pasi kanë marrë pagesat nga personat që kanë rezervuar automjetet, të pandehurit nuk ju kanë dërguar në destinacionin e kërkuar automjetet.
Ndërsa e pandehura M.P, duke qenë punonjëse pranë subjektit “F.K” PF, ka dhënë numrin celular që kanë përdorur të pandehurit, duke e regjistruar në emër të një personi të tretë, i cili nuk kishte dijeni mbi këtë numër celulari.
I pandehuri Arsid Kurtaj, është administrator i subjektit “ERGI-2012”, me objekt aktiviteti ndër të tjera “Transferta parash”, ka nënshkruar në formularët e tërheqjes së shumave të parave, në rekuizitën e “marrësi”, në emër të shtetasit Arsid Kurtaj, të shumave të parave që persona të ndryshëm kanë dërguar tek shtetasi Arsid Kurtaj, për marrjen e mjeteve me qira.
Në lidhje me këtë ngjarje pasi janë kryer veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivin dhe çështja penale në ngarkim të këtyre shtetasve është dërguar në Gjykatën e Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.



