Shkëlqim Rusi, vëllai i shqiptarit që u vetëvra brenda furgonit të Policisë, në Greqi, ka deklaruar sot për mediat shqiptare se vëllai i tij “është dhunuar për vdekje nga gardianët që e shoqëruan në burg”.
Rusi është shprehur se tre ditë para ngjarjes ka komunikuar me të vëllain në telefon, i cili “nuk ka parë asnjë gjë të dyshimtë”.
Një detaj tjerët që ka bërë të ditur vëllai i viktimës është se, për disa muaj atij i mbaronte dënimi.
Ndaj, sipas tij, “nuk kishte logjikë që të bënte vetëvrasje”.
“ Kjo për mua është e pa pranueshme është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin. Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetëvrasje, atë e kanë vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar.
Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjelen e furgonit, kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke.
Vëllai i viktimës, kërkon që autopsia e Adem Rusit të kryhet në Shqipëri.
“Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë. Të bëhet autopsia pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë.
Kemi shkuar në prokurorinë tonë dhe më kanë thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush se merr përsipër, nuk duan belara, nuk di ç’të them. Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor.
Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta”.
I burgosuri shqiptar në Greqi, është vetëvarur në furgonin e policisë, teksa po transportohej nga spitali i Amfisë, drejt burgut të Malandrinos. Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur më 2 dhjetor, por është publikuar dje.
Autoritetet policore kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.



