
Dy persona janë arrestuar nga policia e Lezhës për kultivim të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në automjet, në vendin e quajtur " Ura e Milotit", kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Peugeot", me drejtues shtetasin R. Ll., është gjetur një armë zjarri pistoletë, më krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. Ll., 22 vjeç, banues në Mamurras, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Ndërsa Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në fshatin Gocaj, Një Administrative Balldre, po kultivoheshin bimë narkotike, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetases A. C., 52 vjeçe, banuese në Gocaj, Lezhë.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit F. C., 55 vjeç dhe A. C., 22 vjeç, bashkëshorti dhe djali i shtetases A. C.
Shtetasja A. C. është kapur në kushtet e flagrancës, duke kultivuar bimë narkotike në tokën në pronësi të tyre, në fshatin Gocaj, Lezhë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin, veprime të mëtejshme.



