Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka mbërritur në burgun e Peqinit, aty ku pak pas mesditës së sotme, një i burgosur qëlloi me armë zjarri, duke vrarë një të dënuar dhe duke plagosur një tjetër.
Manja ka shkuar në vendin e ngjarjes për t’u informuar në vetë të parë lidhur me zhvillimet në burg, i cili ndodhet nën kontrollin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
I dënuari Sokol Mjacaj ishte në ajrim dhe në ato momente ka pasur një pistoletë, e cila dyshohet se mund të jetë futur me dron në ambientet e burgut.
Ai i është afruar dritares së një të burgosuri Arben Lleshit, të cilin e ka qëlluar tre herë, duke e vrarë.
Krahas tij ka mbetur i plagosur dhe Indrit Shaqja, i qëlluar me plumb në këmbë.
Macaj ndodhet në burg për vrasjen e dy turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit, për t’i grabitur, teksa udhëtonin me automjetin e tyre.



