
Policia e Kosovës u ka shpërndarë sot pako ushqimore familjeve serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Rreth 100 pako ushqimore i ka shpërndarë Policia e Kosovës për qytetarët e fshatit Banjskë në Zveçan, ku dy ditë më parë pati sulme ndaj Policisë.
Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihen banorët serbë duke pranuar pakot ushqimore
“Policia e Kosovës mbron çdo banor të Kosovës” ka shkruar Jeta Statovci, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lista “Guxo”, pjesë e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Policia e Kosovës është e angazhuar në mënyrë aktive në mbështetjen e komunitetit lokal dhe shpërndarjen e furnizimeve thelbësore derisa hetimet për sulmet e fundit terroriste janë duke u zhvilluar.
Në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.
Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.
Nga gjuajtjet me armë zjarri, tre terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.



