
Një inspektor i Patrullës së Përgjithshme në qytetin e Vlorës është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi u kap në gjendje të dehur gjatë ushtrimit të detyrës.
Arrestimi u krye pas një denoncimi të bërë nga një qytetar në sallën operative, ku u raportua për sjellje të papërshtatshme dhe të dyshimtë nga ana e punonjësit të policisë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e AMP-së ndërhynë në vendngjarje dhe, pas verifikimeve, konstatuan se oficeri ndodhej nën efektin e alkoolit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor H. I., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pas telefonatës së një shtetasi në sallën operative mbrëmjen e djeshme, i cili pretendon se dy punonjës policie e kanë ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u prezantuar me një sjellje jo etike. Pas verifikimit me testin matës së alkoolit, punonjësi H. I., ka rezultuar pozitiv në masën 0.82 mg/l.
Ndaj punonjësit të policisë E. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, do të vijojë procesi i hetimit disiplinor.



